Një sqarim biologjik rreth stresit; rëndësia dhe ndikimi i tij në organizmin tonë

1,100

Në fakt stresi është një mekanizëm jetësorë shumë i nevojshëm dhe i dobishëm për organizmin tonë. Është një proces i patjetërsueshëm. Mirëpo kur themi kështu, shumë njerëz mund të mendojnë se këtu ka diçka që është shumë kontradiktore.

Le ta sqarojmë:

Në natyrë, në kushtet primitive, njëjtë sikurse gjallesat tjera, edhe njeriu kur përballej me kushte te rrezikshme, para vetes kishte vetëm dy opcione: të sulmojë ose të ikë. ( Fight or Flight ). Sepse rreziku i kanosur asokohe mund të zhdukej ose duke luftuar, ose duke u larguar. Pra, përpjekja për mbijetesë realizohej në këtë mënyrë.

Gjatë këtyrë momenteve (momenteve të stresit) në organizëm ndodhin këto gjëra:

Sapo të perceptohet frika, nga zonat përkatëse të trurit prodhohen mekanizma reaguese të cilat dërgojnë sinjale ngacmuese tek gjëndrat mbiveshkore. Nëpërmjet këtij ngacmimi sekretohet hormoni ‘kortizol’, i cili shkakton sekretimin e glikozës në gjak nga depot e glikogjenit që ndodhen në mushkërinë e zezë. Glikoza, pra sheqeri, është burim i mrekullueshëm energjie për organizmin, kështu që sekretimi i tij në gjak mu në çastet kur nevoitet ‘sulm apo ikje’ është një biomekanizëm i adaptueshëm në mënyrë të shkëlqyer, i cili në të kaluarën i ka shërbyer pozitivisht mbijetesës njerëzore.

Përveç kësaj, nga gjëndrat mbiveshkore përveç kortizolit sekretohen edhe ‘adrenalina’ dhe ‘neuroadrenalina’. Adrenalina ndikon edhe në rritjen e fuqisë pompuese të zemrës, por edhe në ritmin e zemrës. Derisa në kushte normale zemra pompon 5 litra gjak, në kushte të adrenalinës kjo sasi shkon deri në 12-15 litra gjak.

Nga ana tjetër neuroadrenalina ndikon në ngushtimin e enëve të gjakut dhe përgjatë këtij procesi mbyllen enët e gjakut që ndërlidhen me sistemin digjestiv ( sepse sistemi digjestiv nuk nevoitet në këto raste; madje kjo ‘mund’ të jetë arsyeja se përse gjatë stresit çrregullohet oreksi dhe digjestimi ). Në këtë mënyrë, pra, duke u ngushtuar enët e gjakut dhe duke u zmadhuar shtypja e gjakut, gjaku drejtohet dhe orientohet drejt pjesëve që më së shumti ka nevojë për të; drejtohet për në tru dhe për në muskuj. ( rritje e performancës ). Përveç kësaj, gjithashtu përshpejtohet edhe frymëmarrja, me çka edhe sigurohet më tepër marrja e oksigjenit; zmadhohen bebëzat e syrit, me çka edhe rritet pranimi i dritës, dhe në këtë mënyrë shtohet edhe kualiteti i të pamurit.

Shkurtimisht, në kushte të stresit:

Rritet sheqeri në gjak, e rritja e sheqerit shkakton rritjen e energjisë. Përshpejtohet dhe rritet qarkullimi dhe shtypja e gjakut, kështu duke rezultuar që gjaku të orientohet më shumë drejt trurit dhe muskujve.  Si rezultat i të gjithë këtyre biomekanizmave performanca trupore rritet 2 deri në 3 herë. (Doping natyral ) Kjo rrtje e performancës është trashëgimi nga paraardhësit, të cilët në këtë mënyrë shpëtonin nga rreziku ose duke sulmuar, ose duke u larguar ( duke ikur ).

Siç e shihni, në çaste të stresit këto procese fiziologjike janë të dobishme dhe jetë-shpëtuese.

Mirëpo kujdes! Stresi, si diçka që është e dobishme brenda një periudhe të caktuar-të shkurtër, nëse shndërrohet në stres kronik (afatgjat), mu atëherë fillojnë problemet.  Në periudhën moderne, ballafaqimi me ndjenjën e vazhdueshme të ekzistimit të një rreziku, pra, me psikologjinë e vazhdueshme të ndjenjës ‘sulmo-ik’, është duke e shndërruar fenomenin e stresit në një gjendje të përhershme.

Atëherë kur stresi kthehet në një gjendje të përhershme, këto mekanizma të dobishme brenda proceseve afatshkurte, në procese afatgjate fillojnë të bëhen shkatërruese dhe çrregulluese, duke e përgatitur terrenin për lindjen e sëmundjeve të ndryshme.

Çfarë sëmundje mund të lindin?

Sasia e vazhdueshme e lartë e kortizolit, duke e rritur sheqerin në gjak, mund të shkaktojë hapësira për sëmundjen e diabetit. Kortizoli i tepërt shkakton presion mbi sistemin imunitar dhe në këtë mënyrë e rrit rrezikun për kancer dhe sëmundje infektuese. Në disa raste, dobësimi i sistemit imunitar mund të shfaqet si ‘sëmundje autoimune’, në të cilin sistemi imunitar i sulmon organet e organizmit tonë ( siç ndodh tek Romatoid artrit, Multiple Skleroza, Covid19 etj ).

Sekretimi i vazhdueshëm i Adrenalinës dhe Neuroadrenalinës shkakton probleme dhe çrregullime të ritmit të zemrës dhe në këtë mënyrë hipertensioni bëhet sëmundje e përhershme. Edhe ngushtimi i enëve të gjakut (vazokonstruksioni), edhe sëmundja e diabetit kanë ndikim mbi fortësinë e enëve të gjakut. Ky proces i rrezikshëm, që quhet Ateroskleroz, rezulton me bllokimin e enëve të gjakut dhe në këtë mënyrë shkaktohen sëmundje të ndryshme trurore dhe veshkore, përfshirë këtu edhe infraktin në zemër, paralizën dhe demancën.

Sigurisht, hormonet e stresit kanë ndikim negativ edhe mbi kualitetin e gjumit, duke shkaktuar probleme të tilla si pagjumësia dhe kualitet të dobët në gjum. Si rezultat i kësaj, individi në mëngjes zgjodhet i lodhur dhe nga kjo pastaj rrjedhin gjërat e tilla si : performanca e dobët dhe shpërthimet e ndryshme nervore gjatë aktiviteteve të përditshme.

Nëse nuk merren masa parandaluese për menaxhimin e stresit, ky proces më vonë mund të futet në një qark që vështirë është të dilet prej saj.

Siç e shihni, ndikimet negative të stresit kronik janë shumë dimensionale në organizmin tonë, kështu që, duhet bërë ç’mos që të distancohet nga faktorët të cilët e shkaktojnë ngacmimin e vazhdueshëm të këtij fenomeni. Prandaj, mbi të gjitha, njeriu duhet ta njohë veten e tij, ashtu që, duke i zbatuar argëtimet, shprehitë dhe zbatimet stres-shpëtuese, të relaksohet dhe të mbërthehet me energji pozitive e shpresdhënëse.

Por si të shpëtohet nga kronikizimi i stresit?

Biologjiku njerëzor, i cili në të kaluarën është programuar që të reagojë në mënyrë ‘lufto ose ik’, sot e ka të vështirë të adaptohet me faktorët socio-politik të kohës sonë, sepse:

Shqetësimet e të ardhurave mujore,

Papunësia dhe frika e humbjes së punës,

Shqetësimi i mos pagesës së kreditit,

Shqetësimet për dështim.

Të gjitha këto janë burime të stresit dhe tek ne krijojnë përshtypjen se kurr nuk do të marrin fund. Përpjekja ose lufta ndaj tyre nuk është se të bind për tejkalimin e tyre, sepse 24 orë nuk mjaftojnë për t’i fshirë nga përditshmëria shqetësimet e mësipërme. Madje përveç këtyre, te disa njerëz mund të ekzistojnë edhe trauma të ndryshme sociale të ballafaquara që në fëmijëri.

Si duket është hera e parë që biologjiku njerëzor po vendoset në pozicion të papërballueshëm me pasojat e stresit kronik të shkaktuar nga përpjekja për të krijuar jetesë të integruar shoqërore. Fatkeqësisht, në këtë përballje, si duket biologjiku ynë është kapur i papërgatitur dhe nuk po arrinë t’ia dalë mbanë me prodhimin e rrugëdaljeve ndaj këtyre sëmundjeve.

Ndoshta të gjithë bashkarisht duhet ta kërkojmë rrugëdaljen për ta shpëtuar qenien tonë nga ‘pandemia’ fiziologjike e kortizolit; ndoshta prodhimi i mekanizmave të ndryshme të qasjeve psikologjike dhe socio-politike mund të jenë armët tona në menaxhimin e kësaj gjendje.

Referenca:

Linku 1 Linku 2

“Principet e Biokimisë” – Leningher

Shkruan: Besir Zeneli, inxhinier biologjik.

STUDENTET.MK

Comments are closed.