Gjymtyrët homogjene sipas raporteve sintaksore të vendosura midis tyre

1,415

Ndërmjet gjymtyrëve homogjene ekzistojnë raporte sintaksore barazie, analoge me ato që dalin ndërmjet fjalive asindetike të një fare ose ndërmjet fjalive të bashkërenditura, pra raporte këpujore, veçuese, kundërshtore dhe përmbyllëse. Gjymtyrët homogjene me raporte përmbyllëse kanë një përdorim të kufizuar, shumë më të paktë se fjalitë përkatëse. Format e bashkimit të gjymtyrëve homogjene, po ashtu si me fjalitë e një periudhe, janë lidhëzore ose jolidhëzore (asindetike). Në rastin e parë përdoren zakonisht po ato lidhëza bashkërenditëse ose ndaj folje e fjalë të tjera me funksion lidhëzor që i gjejmë midis fjalive të bashkërenditura, po pa pasur, në të gjitha rastet, në mjetet e lidhjes së këtyre dy kategorive të ndryshme sintaksore dhe një përkim të plotë në përdorimin e tyre: Kurdoherë për interesin e madh të popullit dhe të atdheut, të lufojmë shumë e më me hov, më me guxim e pjekuri për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë. Faktet ishin të vërteta, por të hidhura. Ai duhej të krijonte…struktura të përjetshme e universale…të paprekshme e të padukshme, pra të pashkatërrushme. Ajo po sulej nga të gjitha anët: nga deti, nga qielli, nga toka.

Homogjenia e gjymtyrëve shprehet jo vetëm me anë të lidhëzave dhe të fjalëve të tjera me funksion lidhëzor, por edhe me anë të intonacionit. Zakonisht ato shqiptohen me intonacione të numërimit e të kundërisë (kundërvënies), me të njëjtën fuqi e lartësi toni, me theksim të secilës gjymtyrë e me pauza bashkuese midis tyre.

Burimi: Libri Gramatika e Gjuhës Shqipe

Comments are closed.