Gjuha standarde shqipe

19,312

Gjuha standarde shqipe, shqipja standarde ose gjuha letrare kombëtare pa dyshim se është një arritje jashtëzakonisht e madhe e kombit shqiptar. Kjo arritje me rëndësi kolosale është rezultat e fryt i përpjekjeve historike të atdhetarëve, shkrimtarëve, gjuhëtarëve, arsimdashësve, gazetarëve etj., përpjekjet e të cilëve nisën shumë më herët se 1944-ta dhe jo thjesht rezultat, arritje a fryt i një akti të vetëm administrativ, siç është Kongresi i Drejtshkrimit (1972, Tiranë).

Shqipja standarde ose gjuha letrare kombëtare është gjithashtu pasuri e mbarë kombit tonë, pavarësisht nga kufijtë shtetërorë e rendet politike. Shqipja standarde nuk është thjesht gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar, por ajo flitet po ashtu nga shqiptarët në trojet e veta në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e gjetiu, ndërsa diaspora jonë ka qenë historikisht në radhët e para të përpjekjeve për këtë gjuhë.

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar, si varianti më i përpunuar i gjuhës së popullit shqiptar, ka qenë një proces i gjatë, që ka filluar që në shekujt XVI – XVIII, por përpunimi i saj hyri në një periudhë të re, në shekullin XIX.

Në vitin 1824 u fillua puna për t’u krijuar alfabeti shqip. Në kuadër të programeve të këtilla, mësimi dhe lëvrimi i gjuhës amtare, përpjekjet për pasurimin e saj dhe pastrimin nga fjalët e huaja dhe të panevojshme, zinin një vend qendror. Gjatë kësaj periudhe u zhvillua një veprimtari e gjerë letrare, kulturore dhe gjuhësore.

Në vitin 1879 iu dha një shtysë të re kësaj veprimtarie. U hartuan gramatikat e para me synime normative dhe u bë hapi i parë për hartimin e një fjalori kombëtar i gjuhës shqipe, që është “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, i botuar më 1904.

Gjatë kësaj periudhe përvijoheshin dy variante letrare të kombit shqiptar, varianti letrar jugor dhe varianti letrar verior. U bënë gjithashtu, përpjekje për afrimin e këtyre varianteve dhe për njësimin e gjuhës letrare. Detyra e parë që duhej zgjidhur ishte njësimi i alfabetit. Deri atëherë, alfabeti grek, alfabeti turko-arab dhe alfabete të veçanta. Këtë detyrë e zgjidhi Kongresi i Manastirit, i mbledhur më 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në qytetin e Manastirit, që sot ndodhet në Maqedoni. Në këtë Kongres, pas shumë diskutimesh, u vendos që të përdorej një alfabet i ri, i mbështetur tërësisht në alfabetin latin, i plotësuar me nëntë diagrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja me shenja diakritike (ç, ë), është alfabeti që ka edhe sot në përdorim gjuha shqipe. Kongresi e la të lirë edhe përdorimin e alfabetit të Stambollit, që kishte mjaft përhapje, por koha ia lëshoi vendin alfabetit të ri, që u paraqit në Kongres, pra alfabetit të sotëm.

Një hap tjetër për njësimin e gjuhës letrare shqipe, bëri “Komisioni letrar shqip”, që u mblodh në Shkodër në vitin 1916. Komisioni nënvizoi si detyrë themelore lëvrimin e gjuhës letrare shqipe dhe zhvillimin e letërsisë shqiptare. Ky komision gjuhëtarësh e shkrimtarësh, krijuar për të ndihmuar në formimin e një gjuhe letrare të përbashkët përmes afrimit të dy varianteve letrare në përdorim, vlerësoi variantin letrar të mesëm, si një urë në mes toskërishtes dhe gegërishtes dhe përcaktoi disa rregulla për drejtshkrimin e tij, të cilat ndikuan në njësimin e shqipes së shkruar.

Vendimet e Komisionit letrar shqip për gjuhën letrare e për drejtshkrimin e saj, u miratuan më vonë edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) dhe vijuan të zbatoheshin deri në Luftën e Dytë Botërore.

Pas Luftës së Dytë Botërore, puna për njësimin e gjuhës letrare kombëtare dhe të drejtshkrimit të saj, nisi të organizohet nga Instituti i Shkencave. U krijuan komisione të posaçme për hartimin e projekteve të drejtshkrimit. Kështu u hartuan disa projekte në vitet 1948, 1951, 1953 dhe 1956. U organizuan gjithashtu, dy konferenca shkencore në vitin 1952, për të diskutuar për problemin e gjuhës letrare.

Më 196, u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, projekti i ri “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes”. Ky projekt filloi të zbatohet në të gjithë hapësirën shqiptare.

Gjuha standarde shqipe mbështetet kryesisht në variantin letrar të jugut, sidomos në sistemin fonetik por në të janë integruar edhe elemente të variantit letrar të veriut.

Me rëndësi të madhe është ajo se gjuha jonë letrare është gjuhë kombëtare. Ajo ka kaluar me sukses një stazh të gjatë pranimi si gjuhë e folur e kombit, gjuhë e letrave shqipe dhe e mjeteve të komunikimit masiv.

Pas Kongresit të Drejtshkrimit janë botuar edhe një varg veprash të rëndësishme, që kodifikojnë normat e gjuhës standarde shqipe, siç janë: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori i gjuhës së sotme letrare” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe: Morfologjia (1995), Sintaksa (1997)” etj.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.