Gjuha shqipe dhe interneti

2,985

Gjuha shqipe, si një ndër gjuhët më të vjetra në Ballkan, ka kaluar nëpër shumë faza të zhvillimit dhe të transformimit të saj. Në këtë proces, shqipja ka qenë e ndikuar vazhdimisht nga faktorët e ndryshëm gjuhësore dhe jashtëgjuhësorë, ndërsa rrethanat e ndryshme historike, nëpër të cilat ka kaluar shqipja, kanë ndikuar që hapësirat e saj të përdorimit herë të ngushtohen, herë të zgjerohen. Kjo ka ndikuar që pozita e shqipes dhe e varieteteve të saj, në raste të caktuara, të jetë mjaft e pavolitshme, ndërsa, në rastet e përmirësimit të gjendjes ekonomike-politike të popullit shqiptar, është përmirësuar edhe pozita e shqipes. Me fjalë të tjera, fati i shqipes në kohë dhe në hapësirë, ka qenë i lidhur me fatin e bashkësisë shqiptare në përgjithësi dhe përmirësimi i pozitës së shqiptarëve është reflektuar edhe në përmirësimin e pozitës dhe të statusit të gjuhës shqipe.
Në literaturën linguistike dhe sociolinguistike tashmë është i njohur përkufizimi se gjuhët, në të shumtën e rasteve, nuk janë sisteme njëformëshe, por shumica e gjuhëve të botës e kanë variacionin e tyre inherent, i cili ndikohet nga faktorët e ndryshëm sociolinguistikë. Ekzistenca e një varieteti standard të gjuhës nuk e përjashton ekzistencën e varieteteve të tjera me bazë gjeografike (dialektet) apo shoqërore (sociolektet). Ndërkaq, ky variacion i gjuhës dhe përdorimi, ndikohen nga faktorët e tillë, si: mosha, gjinia, edukimi, domeni, vendndodhja e komunikimit dhe tema e bisedës.

 

Duke e parë këtë ndikim jashtëgjuhësor në gjuhë, Joshua Fishman flet për domenet e sjelljes gjuhësore dhe të përdorimit të gjuhës (Fishman, 1972; shih edhe te Nuhiu, 1990). Sipas Fishmanit, “domeni është një konstrukt socio-kulturor i abstraktuar nga temat e komunikimit, marrëdhëniet midis komunikuesve dhe lokalizimi i komunikuesve, në pajtim me institucionet e një shoqërie dhe sferave të aktivitetit të një bashkësie folëse, në atë mënyrë që sjellja individuale dhe tiparet sociale mund të dallohen nga njëri-tjetri dhe njëkohësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën” (f. 20). Në bazë të përcaktimeve të mëhershme të Schmidt-Rohr (1932) dhe Greenfield (1964), Fishmani përcakton pesë domene kryesore: familja, shoqëria, feja, arsimi dhe punësimi, si faktorë që e përcaktojnë sjelljen gjuhësore të individit. Këto domene kanë të bëjnë me situatat reale të sjelljes gjuhësore. Ndonëse domenet e përcaktuara nga Fishmani dhe të tjerët duken gjithëpërfshirëse, megjithatë mendoj se ky përcaktim nuk është i plotë. Një domen shtesë, i cili mendoj se duhet pasur parasysh, është domeni i medieve, ku përfshihen mediet e shkruara dhe audio-vizuale, si dhe domeni i Interneti. Domenet e medieve dhe Internetit si hapësira komunikuese dhe hapësira të sjelljes gjuhësore të individit, i kanë specifikat e veta, të cilat ushtrojnë ndikim në formën dhe përmbajtjen e komunikimit gjuhësor. Gjatë gjithë shekullit të kaluar dhe në këtë shekull, fusha e medieve ka përjetuar një zhvillim marramendës, duke evoluar nga forma e shtypur (gazetat dhe revistat), si mjet për përçimin e informatave në formë të shkruar, te forma audio-vizuale (radio dhe televizioni), si mjet për përçimin e informatave përmes zërit dhe pamjeve të xhiruara, deri te Interneti, si hapësirë virtuale dhe e ndërlidhur në nivel global, si mjet për përçimin e informatave në formë të shkruar.
Pra, kur bëhet fjalë për sjelljen gjuhësore të individit dhe të aktivitetin e tij gjuhësor brenda domeneve përdorimit gjuhësor, duhet të merret parasysh edhe hapësira e medieve dhe Internetit, si domene që në vitet e fundit kanë fituar në peshë për shkak të rëndësisë që kanë për jetën e njerëzve në përgjithësi. Risitë teknologjike në fushën e medieve kanë bërë që mediet të luajnë një rol shumë të rëndësishëm komunikues në shumicën dërmuese të bashkësive folësve nëpër botë, duke krijuar hapësira të përdorimit për shumë gjuhë botërore. Mjetet e informimit, si gazetat, radio dhe televizioni, përveç komunikimit të informatave, janë shndërruar edhe në hapësira, ku ndodh ndërveprimi dhe ndërkomunikim gjuhësor dhe, rrjedhimisht, në këto hapësira mund të shfaqen po ato dukuri sociolinguistike, të cilat mund të hasen në ndërkomunikimin njerëzor të përditshëm. Në dy dekadat e fundit, një rol të rëndësishëm, qoftë për jetën e njerëzve në përgjithësi, qoftë për aktivitetin dhe sjelljen e tyre gjuhësore, është duke e luajtur Interneti. Duke qenë mjeti ndoshta më i sofistikuar për bartjen e shpejtë të informatave dhe korrespondencës, Interneti është bërë mjet i pashmangshëm i aktivitetit të njerëzve, ndërsa përhapja dhe shtrirja e tij në rrafshin global, ka ndikuar në integrimin e hapësirave komunikuese botërore dhe, si rrjedhojë, ka bërë që kontaktet midis gjuhëve të ndryshme të botës të shtohen në nivele që nuk janë parë më parë në historinë e njerëzimit.
Kësaj dukurie dhe këtij ndikimi të Internetit nuk i ka shpëtuar as gjuha shqipe. Para se të flasim për rolin dhe ndikimin e Internetit në gjuhën shqipe, të flasim pak për zanafillën e tij dhe për ndikimin që ka pasur në komunikimin gjuhësor.

 

Përmblodhi dhe përshtati:

STUDENTET.MK

Comments are closed.