Bazat e C++ (pjesa 6)

677

Ciklet e përsëritjes

Cikli i përsëritjes while

Cikli i përsëritjes loop, ekzekuton një ose disa instruksione deri sa plotësohet një kusht i caktuar. Cikli i përsëritjes while ekzekuton në mënyrë të përsëritur një grup instruksionesh për sa kohë një kusht i caktuar është i vërtetë.

Sintaksa:

while (kushti)
{
instruksionet;
}

Kur kushti nuk është më i vërtetë, programi ekzekton instruksionet që vijnë menjëherë pas instruksionit while.
Trupi i ciklit të përsëritjes while, është blloku i instruksioneve brenda kllapave të mëdha.

Për shembull:

int num = 1;
while (num < 6) {
cout << “Numri: ” << num << endl;
num = num + 1;
}
/* Output-i
Numri: 1
Numri: 2
Numri: 3
Numri: 4
Numri: 5
*/

Shembulli më sipër deklaron një variabël të barabartë me 1 (int num = 1). Cikli while kontrollon kushtin (num < 6), dhe ekzekuton instruksionet brenda trupit, duke rritur vlerën e variablës num me 1 sa herë intruksioni i përsëritjes ekzekutohet. Pas iteracionit të pestë, num bëhet 6, dhe kushti do të marrë vlerën false, duke ndaluar ekzekutimin.
Pa kushtin i cili pas disa iteracionesh mund të marrë vlerën false, cikli do të përsëritej në mënyrë të pafundme.

Më poshtë paraqitet llogaritja e shumës së numrave të marra nga përdoruesi.

int num = 1;
int numri;
int total = 0;
while (num <= 5)
{
cin >> numri;
total += numri;
num++;
}
cout << total << endl;

Kodi i mësipërm shton numrin e dhënë nga përdoruesi në variablën total në çdo iteracion. Në momentin që ndalohet ekzekutimi i ciklit, printohet vlera e variablës total e cila është shuma e të gjithë variablave të insertuara nga përdoruesi.
Shënim: Variabla total ka një vlerë fillestare 0.

Cikli i përsëritjes for

Cikli for është një përsëritje e strukturës së kontrollit e cila ju lejon të shkruani një cikël i cili ekzekutohet prej një numër specifik herësh.

Sintaksa:

for (inicializimi; kushti; inkrementimi)
{
instruksionet;
}

Hapi i incializimit ekzekutohet i pari, dhe nuk përsëritet. Më pas, kontrollohet kushti, nëse kushti është i vërtetë ekzekutohet trupi i instruksionit. Në hapin tjetër, instruksioni i inkrementimit, rindryshon variablën e kontrollit të ciklit. Më pas, trupi i ciklit përsërit veten, dhe ndalon vetëm kur kushti nuk është më i vërtetë.

Për shembull:

for (int x = 1; x < 10; x++)
{
// disa instruksione
}

Instruksionet e inicializimit dhe inkrementimit mund të mos përdoren nëse nuk është e nevojshme, por pikëpresja është e domosdoshme.

Shembulli më poshtë përdor ciklin e përsëritjes for për printimin e numrave nga 0 deri në 9.

for (int a = 0; a < 10; a++)
{
cout << a << ” “;
}
/* Output-i
0 1 2 3 4 5 6 7 8 9
*/

Në hapin e inicializimit, ne deklarojmë një variabël a dhe e vendosim atë të barabartë me 0. Ku kushti është a < 10. Pas çdo iteracioni, ekzekutohet instruksioni a++ . Kur inkrementohet a deri në 10, kushti kalon në false dhe cikli përsëritjes ndalon.

Shënim: Kur përdorni ciklin for, mos harroni të përdorni pikëpresjet pas instruksioneve të inicializimit dhe kushtëzimit.

Cikli i përsëritjes do while

Ndryshe nga ciklet e tjera for dhe while, të cilat testojnë vërtetësinë e kushtit që në fillim, cikli do while kontrollon vërtetësinë e kushtit në fund të ciklit. Cikli do while është i ngjashëm me ciklin while. Ndryshimi i vetëm është se cikli do while njëherë e ekzekuton ciklin dhe pastaj e kontrollon kushtin.

Sintaksa:

do
{
intruksionet;
} while (kushti);

Shembull:

int a = 1;
do {
cout << a << ” “;
a++;
} while(a < 4);
/* Output-i:
1 2 3
*/

Shënim: Mos harroni pikëpresjen pas instruksionit while.

Burimi: mesoprogramim.com

Përgatiti dhe përshtati:
WWW.STUDENTET.MK

Comments are closed.